JET Bank merr licencën, Shqipëria bëhet me bankën e parë 100 për qind dixhitale
Banka e Shqipërisë licencon JET Bank, bankën e parë të re pas 20 vitesh në treg.
Licencimi i parë pas dy dekadash
Banka e Shqipërisë i ka dhënë zyrtarisht dritën e gjelbër nisjes së aktivitetit të bankës së 12-të tregtare në vend, JET Bank. Këshilli Mbikëqyrës miratoi licencën për ushtrimin e aktivitetit bankar, pasi kishte dhënë miratimin paraprak në fillim të dhjetorit 2025. Ky vendim shënon licencimin e parë final për hapjen e një banke të re në Shqipëri pas 20 vjetësh, duke mbyllur një cikël të gjatë përqendrimi në sektor, që kishte ulur numrin e bankave nga 16 në 11.
Ambicia për bankë plotësisht dixhitale
JET Bank synon të jetë banka e parë 100 për qind dixhitale në Shqipëri, duke ofruar të gjitha shërbimet dhe produktet vetëm përmes kanaleve elektronike, pa pasur degë fizike. Ky model pritet të ndryshojë mënyrën e ofrimit të shërbimeve bankare në tregun vendas.
Struktura e pronësisë dhe kapitali
Në janar të këtij viti, banka formalizoi edhe strukturën aksionare. Ajo kontrollohet nga shoqëria holding Jet Holdings, e regjistruar në Hollandë, ndërsa aksionarë indirektë janë kompani të regjistruara në Qipro dhe Izrael. Aksionari kryesor me mbi 71 për qind të aksioneve është shoqëria qipriote Constador LTD, e cila zotërohet nga shtetasi britaniko-izraelit Idan Avishai. Në muajin mars, banka realizoi derdhjen e kapitalit fillestar prej 1.06 miliardë lekësh për nisjen e aktivitetit.
Nisja e aktivitetit dhe zhvillimet në treg
Sipas burimeve nga tregu, JET Bank synon të nisë aktivitetin tregtar brenda muajit maj. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë kishte dhënë më herët edhe miratimin paraprak për licencimin e degës së bankës turke Ziraat, por kjo e fundit ka ecur më ngadalë në përmbushjen e kërkesave për licencën përfundimtare.
Procesi ligjor i licencimit
Sipas ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, licencimi zhvillohet në dy faza: miratimi paraprak dhe dhënia e licencës përfundimtare. Subjekti që merr miratimin paraprak duhet të plotësojë brenda 12 muajve të gjitha kushtet ligjore dhe nënligjore për të nisur aktivitetin bankar në vend.